Lokacioni: Isa Zajmi, No. 01, 10000, Prishtina, Kosova

Rrugëtimi im me ROR-in: Kërkimi i të drejtave të fëmijëve dhe formësimi i vetes nga Trina Hoti

Trina Hoti është avokuese për të drejtat e fëmijëve dhe mentore në Grupin ROR. Ajo është 19 vjeç, vjen nga Prishtina dhe është studente e vitit të dytë në Departamentin e Sociologjisë, Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

“Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?” është pyetja që rëndom shtrohet nga të rriturit kundrejt fëmijëve, të cilët të karakterizuar nga ushtrimi pakufi i imagjinatës duan të bëhen nga pilotë e zjarrfikës, te mësues apo këngëtar. Ngjashëm, pas ëndrrave që të bëhesha mësuese apo moderatore lajmesh, me rritjen kujtoj që dëshirat e mia filluan të ndërtoheshin mbi nevojat që hasja në komunitetin ku jetoja, duke filluar nga shtimi i lodrave në parkun e qytetit, e deri tek pasurimi me librat që i mungonin bibliotekës së shkollës. Me të tilla dëshira që shpeshherë tingëllonin si të parealizueshme nga vetëm një individ, në vitin 2013 kur isha vetëm 12 vjeç, fillova botën e avokimit për të drejtat e fëmijëve në të cilën mësova që zëri im i vogël kishte rëndësi të madhe, dhe ku u edukova për të drejtat e mia, madje dhe se si mund të bëhesha zëri i atyre që kishin ngurrim apo mosdijeni për të drejtat që u garantoheshin.

Nga aktivitetet e mbajtura në nivel të shkollës “Naim Frashëri”, në vitin 2015 u zgjodha si delegate e saj në Asamblenë Komunale të Fëmijëve – Prishtinë, e cila ishte rithemeluar nga organizatat Save the Children në Kosovë dhe OJQ “Syri i Vizionit” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Në Asamble ushtrova rolin e kryetares dhe përvoja në përfaqësimin e nevojave, shqetësimeve dhe kërkesave të fëmijëve në nivel komune ndaj institucioneve vendimmarrëse të kryeqytetit përgjatë tre (3) vitevedo të mbetet e paharrueshme dhe njëkohësisht stimuluese në rritjen time si avokuese për të drejtat e fëmijëve.

Me gjithë angazhimin tim në asamble, interesimi për të drejtat e fëmijëve dhe gjithçka që lidhej meto s’kishte se ku të praktikohej më mirë sesa në Grupin monitorues të fëmijëve Respect Our Rights – ROR, të cilin e njihja dhe mezi prisja t’i bashkohesha. Kështu që në vitin 2017 bëhem pjesë e ROR-it, fillimisht si anëtare e më pas si kryetare e grupit. Në vitin 2018, kur edhe u zgjodha si e tillë, në ROR kishim vendosur të modifikonim strukturimin e anëtarëve nëpër komisione me natyrë specifike të avokimit, dhe unë drejtoja gjithashtu Komisionin e Monitorimit të Teksteve Shkollore, i cili përgjatë atij viti publikoi hulumtimin e radhës të grupit ROR: “Hendeku, kurrikula dhe zbatueshmëria e saj”, një raport që solli të dhëna interesante realizuar nga pyetësorët me fëmijë dhe mësimdhënës mbi temat si:niveli i informimit për kurrikulat e reja mësimore, qëndrimet e nxënësëve dhe mësimdhënësve rreth mbajtjes ose jo të orës së kujdestarisë, ngarkesës së orarit mësimor dhe të nxënësve në periudhë testesh, etj.

“Udhëheqja e një mandati në ROR ishte përvojë shumë dinamike dhe mbi të gjitha unike në ofrimin e mundësisë për bashkëpunim me anëtarët e grupit dheme organizatat mbështetëse, si dhe me akterët institucionalë që kishim në fokus.

Motoja e Trinës në vitin 2018 si pjesë e Komisionit për Monitorim të Teksteve Shkollore të ROR.

Gjatë tetorit të atij viti një ngjarje e rëndësishme aq sa për ROR-in edhe për vendin, ishte Java Europiane e Veprimit për Vajza (anglisht: European Week of Action for Girls) në të cilën nga votimi i anëtarëve unë u zgjodha për ta përfaqësuar grupin dhe Kosovën për herë të parë në mesin e shumë shteteve të tjera të botës. Kjo ngjarje e cila organizohet çdo vit nga një koalicion i gjerë organizatash ndërkombëtare, ndër të cilat është Save the Children, ka për qëllim lobimin direkt të delegateve vajza nga vende të ndryshme të BE-së dhe jo vetëm, tek institucionet e kësaj të fundit.

Trina para ndërtesës së Parlamentit Europian në Bruksel, Belgjikë gjatë Javës Europiane të Veprimit për Vajza - 2018.

Duke pasur parasysh se në maj të 2019-tës do të mbaheshin zgjedhjet e Parlamentit Evropian, agjenda e javës ishte e dizajnuar në mënyrë të atillë që 27 vajzat delegate të shteteve të ndryshme të kërkonin rritjen e angazhimit të eurodeputetëve në çështjet e vajzave botërisht. Andaj gjatë ditëve të qëndrimit në Bruksel kam pasur nderin të ngris zërin rreth rëndësisë së përfshirjes së vajzave në vendimmarrje gjatë takimeve në Parlamentin Evropian me deputetët si: Anna Maria Corazza Bildt (deputete suedeze dhe kryesuese e grupit për të drejtat e fëmijëve në Parlamentin Evropian), Julie Ward (deputete angleze, anëtare e delegacionit për marrëdhënie me Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën, dhe anëtare e grupit për të drejtat e fëmijëve), si dhe Nathalie Griesbeck (deputete franceze dhe zëvendës-kryetare e grupit për të drejta e fëmijëve në Parlamentin Evropian). Po ashtu, takim i veçantë për mua ishte ai me zyrtarë të Deskut për Kosovë në kuadër të Komisionit Evropian, të cilët u ndanë tejet të kënaqur me informimin për ekzistimin dhe kontriboutin që ROR-i bënte në Kosovë. Java u përmbyll me shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë – 11 tetorin në një aktivitet që mblodhi njerëz nga profile të ndryshme por me qëllimin e përbashkët, atë të përmirësimit të respektimit të të drejtave të vajzave.

Trina së bashku me disa eurodeputete të legjislaturës së tetë të Parlamentit Europian.

Për mua padyshim që Java Europiane e Veprimit për Vajza mbetet një nga eksperiencat e mia më të bukura dhe me përgjegjësinë më të madhe mbi supe, sepse ishte hera e parë që po e përfaqësoja zërin e fëmijëve të vendit tim në nivel ndërkombëtar dhe po ashtu edhe vet pjesëmarrja e Kosovës ishte për herë të parë. Përveç kënaqësisë dhe nderit të takimit të dhjetëra vajzave që as që do e imagjinoja që do ndanim aq shumë gjëra dhe sfida të përbashkëta, të takimit me dhjetëra zyrtarë të rëndësishëm të BE-së dhe organizatave me nam botëror që me kureshtje dhe seriozitet dëgjonin idetë dhe shqetësimet e mia si një vajzë kosovare, përvoja në këtë ngjarje ka rritur formësimin tim si avokuese për të drejtat e fëmijëve. Ndërkaq pas kthimit nga Brukseli, në ueb-faqen e Save the Children u publikua blogu im në lidhje me eksperiencën si delegate atje dhe pjesë e ROR-it, si dhe përgjatë festës së 8 Marsit duke u ftuar të merrja pjesë në kampanjën virtuale të të bërit pyetje ndaj kandidatëve për kryesues të Parlamentit Evropian, pata rastin të marr përgjigjen nga kandidati i atëbotshëm Franz Timmermans (deputet i Partisë Social-demokrate) mbi atë se çka kryesuesit potencialë do të bënin për vajzat që jetojnë në shtetet joanëtare të BE-së.

Përgjigja e eurodeputetit Franz Timmermans në llogarin e tij në rrjetin social Twitter lidhur me pyetjen e Trinës.

Sigurisht se angazhimi im në Grupin ROR nuk u ndalua me kaq. Në 20 Nëntorin (Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve) e 2018-tës ROR-i ishte protagonisti i takimit më të lartë në vend - i cili mbahej një vit pas miratimit të Rezolutës për të Drejtat e Fëmijëve nga vet fëmijët e pranishëm në Kuvendin e Kosovës dhe dorëzimit të tij tek Kryeministri dhe Kryeparlamentari i vendit – por që karakteristikë e këtij viti ishte kërkimi i një llogaridhënie rreth realizimit të kësaj rezolute ndaj pesë (5) ministrave të digastereve më të rëndësishme (Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Ministria e Shëndetësisë; Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Drejtësisë), kryeparlamentarit dhe zyrtarëve të tjerë të pranishëm, ambasadores së BE-së në Kosovë etj. Në këtë takim, kam pasur kënaqësinë të kem fjalën në emër të delegacionit të fëmijëve dhe të shpreh sfidat, pengesat dhe ndjenjën e të qenurit fëmijë në Kosovë. Takimi përpos që u përcoll me shumë vëmendje nga mediat dhe të pranishmit, për mua u bë sukses i veçantë me shpërndarjen e fjalimit tim në median sociale të Facebook-ut, gjë që padyshim se i dha rëndësinë e duhur shënimit të 20 Nëntorit të atij viti.

Trina duke kryesuar delegacionin e fëmjëve në Kuvendin e Kosovës më 20 nëntor 2018.

20 Nëntorin e paraprin edhe shënimi i 1 Qershorit i cili gjatë vitit 2018 u shënua jo një ditë, por pesë (5) ditë të javës në kuadër të fushatës “Çdo ditë duhet të jetë 1 Qershori” dhe ku përplot pesë ditëve u organizuan aktivitete në komuna të ndryshme dhe u kurorëzua me udhëheqjen e takimit me Kryeministrin e vendit me rastin e lansimit të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Fëmijëve.

Trina duke udhëhequr takimin e ROR-it me Kryeministrin e Kosovës Z. Ramush Haradinaj (Qershor, 2018).

Çështje tjetër me plot rëndësi vazhdon të mbetet ndryshimi klimatik dhe problemet e mjedisit, për të cilat ROR-i ka reaguar me kohë. Gjatë marsit të 2019-tës kur çdo të premte po organizoheshin botërisht protestat #FridaysforFuture, lëvizje e filluar nga aktivistja 17 vjeçare Greta Thunberg, ROR-i organizoi marshin e parë të fëmijëve në Kosovë i cili u mbajt në qendër të Prishtinës me fëmijë që mbanin parullat me mesazhe për mbrojtjen e planetit tonë. Jam e lumtur që kam qenë pjesë e ekipit inicues dhe kemi realizuar këtë aktivitet i cili sadopak rrëmbeu vëmendjen e kalimtarëve në sheshet e qytetit, mediave dhe pikësynimit tonë, Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës, aty ku ne u ndalëm për të dhënë mesazhet dhe kërkesat tona si fëmijë.

Mesazhi i Trinës gjatë marshimit të parë të fëmijëve të Kosovës për mbrojtjen e mjedisit (Mars, 2019).

Nga prilli i 2019-tës eksperienca ime me ROR-in mori një tjetër dimension, atë të të qenurit mentore e grupit. Kjo sepse me mbushjen e moshës madhore anëtarësia e rregullt kalohet në atë vullnetare apo në detyrën e mentorit. Këtë detyrë vazhdoj akoma ta zhvilloj dhe mund të them se është një përvojë shumë e këndshme dhe prej një këndi tjetër, nga angazhimi direkt në dhënie dhe realizim të ideve në përkrahje dhe përcjellje të tyre. S’mund të lë pa përmendur që energjia e mirë që mbizotëron në ROR është e papërsëritshme, aty unë ndihem si në shtëpi dhe me të vërtetë ne jemi një familje e cila çdo ditë e më shumë po rritemi me fëmijë të rinj dhe të entuziasmuar, dhe kjo më bën më shumë se krenare.

Për ta përmbyllur, mesazhi që do të doja të përçoja tek fëmijët e tjerë konkretizohet me shembullin tim: të një fëmiu me pak besim në vete se mund të ndryshonte parkun apo pasuronte bibliotekën e shkollës, në një avokuese që merr pjesë dhe angazhohet me përkushtim në përpilimin e politikave në nivelin komunal dhe shtetëror, që avokon në avancimin e atyre të BE-së, që takon zyrtarë të lartë shtetërorë dhe jo vetëm, apo udhëheqë dy seanca të fëmijëve në sallën plenare të Kuvendit dhe shumë të tjerave në nivele të ndryshme.

“E gjithë eksperienca ime prej tashmë gjashtë vitesh për mua është shumë më tepër sesa dokumentim fotografish apo mbajtje shënimesh, është ajo çka unë jam sot, është ajo që më ka kanalizuar në zgjedhjen e karrierës dhe lejuar të zhvillohem në të gjitha mënyrat.

Rritja e tillë më bën të kuptoj se sa e rëndësishme përtej të thënit klisheist, është përkrahja. Përkrahja që në moshë të hershme është faktor përcaktues në individin që prodhojmë si shoqëri andaj investimi tek fëmijët është investimi më i mençur shtetëror dhe njëkohësisht themelor për mbarërritjen e fëmijëve, përkthyer ndryshe si realizim i të drejtave, të cilat me shumë pasion të gjithë gjeneratat e fëmijëve të Grupit ROR dhe unë, i kërkojmë.

 

Postuar në
Blog

Postime të ngjashme