Lokacioni: Isa Zajmi, No. 01, 10000, Prishtina, Kosova

Është dita që u ndjeva e fuqishme me zërin tim!

Unë jam Puhiza Shemsedini, vajzë 15 vjecare nga Kosova. Jam kryetare e grupit të fëmijëve “Respect Our Rights” (ROR) të themeluar në vitin 2014 nga organizatat joqeveritare Save the Children dhe Syri i Vizionit. Grupi ynë është i përbërë nga fëmijë të moshave 15-18 vjet dhe qëllimi ynë është monitorimi dhe zbatimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në Kosovë, si dhe monitorimi i ligjeve vendore që mbrojnë dhe respektojnë të drejtat e fëmijëve. Ne jemi përfaqësues të zërit dhe qëndrimeve të fëmijëve të Kosovës në nivel lokal, qendror dhe ndërkombëtar.

Që nga mosha e hershme kam pasur interesim për të drejtat e fëmijëve; sfidat,problemet dhe diskriminimi më kanë brengosur gjithnjë si fëmijë. Me dëshirë të madhe për të bërë ndryshim, unë fillimisht u bëra pjesë e Asamblesë Komunale të Fëmijëve në qytetin tim, para se t’i bashkohesha grupit ROR. Që nga atëherë, unë fillova t’i shoh të drejtat e fëmijëve nga një këndvështrim tjetër dhe grupi ROR më dha mundësinë të ngris zërin dhe të luftoj për të drejtat tona para institucioneve përkatëse! Ne kemi qenë mjaft të zëshëm nëpërmjet fushatave vetëdijesuese dhe avokimit për të drejtat e fëmijëve dhe jemi takuar vendimmarrësit dhe me njerëz të tjerë me impakt shoqëror në Kosovë, për të kërkuar realizimin e të drejtave tona.

Një ndër eksperiencat më të bukura që kam pasur ishte takimi me Presidenten e Kosovës znj.Vjosa Osmani gjatë 1 Qershorit - Ditës së Fëmijëve.

Është dita që u ndjeva e fuqishme me zërin tim!

Ne kërkuam që të mbajmë një takim për të prezantuar punën tonë, për të folur për vështirësitë që janë ballafaquar fëmijët në Kosovë, si arsimi, mbrojtja e mjedisit dhe ndikimi i pandemisë te fëmijët si dhe mundësitë e reja për fëmijët në Kosovë.

Unë isha shumë e emocionuar kur asistentja e Presidentes na njoftoi që takimi do të mbahet në ora 10 në zyrën e Presidentes. Bashkë me 10 anëtarë të tjerë nga ROR ne u takuam para Zyrës së Presidentes. Gjatë kësaj kohe përfaqësuesit nga Save the Children dhe Syri i Vizionit ishin aty për të na përcjellur dhe dhënë mbështetje morale. Save the Children dhe Syri i Vizionit gjithmonë kujdesen që ne si grup të kemi mjaftueshëm buxhet, hapësirë, kohë, vëmendje dhe mbështetje për ngritje të kapaciteteve dhe janë gjithmonë pranë nesh duke na ofruar mundësi të reja!

Shpresoj që një ditë, ti do të jesh këtu” tha Presidentja Osmani dhe atë ditë u ul në karrigen tjetër.

Kur ne hymë në Presidencë, Presidentja ishte duke na pritur tek dera e zyrës. Ajo na uroi neve Ditën e Fëmijëve dhe na ftoi të ulemi në karriga. Pa e ditur, unë isha ulur në karrigen ku ajo ulet çdo herë dhe duke qeshur Presidentja më tha “Shpresoj që një ditë ti do të jesh këtu”. Këto fjalë të saj më mbushën plot inspirim!

Unë e fillova takimin, si fillim duke e njoftuar atë me grupin tonë dhe pastaj i theksova tri pika kryesore qe donim t’i diskutonim: arsimi, mjedisi i pastër dhe siguria e fëmijëve në Kosovë! Ne gjithashtu ngritëm problematikën e nivelit të ulët të pjesëmarrjes së fëmijëve në vendimmarrje, që e konsiderojmë si çështje me shumë rendësi. Presidentja Osmani u përgjigj të gjitha pyetjeve tona, na tregoi për punën e saj rreth të drejtave të fëmijëve dhe tha që do të shtojë përpjekjet e saj në këtë fushë. Ajo ishte shumë bashkëpunuese me ne dhe na tha “angazhohuni çdo ditë, mos ndaloni, unë do jem me ju çdo herë, veçanërisht kur është për fëmijët”. Ky zotim i saj na motivoi ne edhe më shumë!

Për mua, ky takim më mbush me shpresë për një të ardhme më të mirë në shtetin tim! Është një shpresë që zëri ynë do të dëgjohet, shkollat, parqet, lagjet e spitalet tona do jenë më të mira. Unë kam trokitur në shumë dyer të institucioneve, por shpesh kam dalur e zhgënjyer. Vetëm atëherë kur ne pyetet mendimi jonë për vendimet që na prekin ne, vendimet do të jenë të duhura. Askush tjetër nuk mund ta dijë më mirë se ne me çka ballafaqohemi çdo ditë. Presidentja më bëri të ndihem se zëri im ka vlerë dhe po dëgjohet, e ky është një hap shumë i mirë per një të ardhme më të ndritur për fëmijët e Kosovës!

Unë dua që të gjithë udhëheqësit e botës t’i bëjnë fëmijët prioritet të tyre.

Tani, ne do ta ftojmë Presidenten të bashkangjitet në aktivitetet tona sa më shpesh që ajo mundet. Ne do i kërkojmë asaj të takohet me përfaqësuesit e institucioneve të tjera dhe t’i shtyjë kërkesat e fëmijëve përpara.

Unë dua që të gjithë udhëheqësit e botës t’i bëjnë fëmijët prioritet te tyre! Kur hartojnë ligje, projekte dhe ndajnë buxhetin ata duhet të përqendrohen më shumë te fëmijët dhe të dëgjojnë zërin tonë. Unë kerkoj nga të gjithë udhëheqësit që të sigurojnë perkujdesje shëndetësore më kualitative, mbrojtje, arsim cilësor, të punojnë drejt ndryshimeve klimatike dhe të ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët pa marrë parasysh etnitetin, fenë, gjininë apo gjendjen ekonomike.

Mesazhi im për të gjithë fëmijët anekënd botës është që të ngrisin zërin kurdo që të drejtat e juaja shkelen. Ju inkurajoj të kërkoni gjithmonë barazi dhe drejtësi. Unë gjithashtu kërkoj nga ju t’i respektoni të gjithë shokët e shoqet tuaj dhe dua t’ua rikujtoj që unë jam këtu për ju, nuk jeni vetëm! Bashkë, ne mund t’i japim më shumë ngjyra botës dhe të sjellim buzëqeshje për të gjithë fëmijët e botës!

 

 

 

 

 

Postuar në
Blog

Postime të ngjashme