Rrite me Dashni, papuqja është për tu mbathë, e jo për të goditë.

Nën organizimin e organizatës Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children zyra në Kosovë dhe në bashkëpunim me Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ata kanë ecur prej Kuvendit të Kosovës deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”, ndërsa kanë kërkuar miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Me këtë rast, deputetja Duda Balje, njëherësh kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, tha se kanë bërë një punë të mirë me Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Teksa u shpreh se brenda disa ditëve do të hedhet në votim të dytë ky projektligj.

“Kemi përfunduar me punën. Ne kemi bërë një ligj shumë të mirë. Kemi ndarë ligjin në disa pjesë shumë të rëndësishme për fëmijët e Kosovës. Tash jemi veç duke pritur votimin e dytë brenda parlamentit. Unë jam e sigurt se brenda disa ditëve do të kryejmë këtë punë. Kemi edhe një obligim tjetër, me e prezantu ligjin tek ju, që ju me e ditë se cilat janë të drejtat tuaja. Sot, jemi këtu me fol për papuçen. Na e dimë se për papuçen mundemi me fol shumë, unë jam gati e sigurt se na jemi duke e përdorë papuçen veç për punë të mira”, tha Balje.

Deputetja Mexhide Mjaku Topalli u shpreh se kjo fushatë është një kambanë që po bie për të gjithë, për t'i thënë jo dhunës dhe abuzimeve.

Mjaku-Topalli tha se fëmijët përbëjnë të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Prandaj, shtoi ajo, secili nga ta duhet të gëzojë të drejtën të rritet në një mjedis të sigurt dhe të qetë sikurse në shkollë, familje apo komunitet.

“Shqetësimi ynë si institucione është se fëmijët tanë po ballafaqohen me situata të vështira, rreziqe, dhunë, kërcënime dhe vrasje. Rasti i fundit në Gjilan që tronditi gjithë opinionin, është një alarm për të gjithë ne dhe duhet t’i thërrasim ndërgjegjes tonë që masat parandaluese për sigurinë e fëmijëve duhet të merren në mënyrë emergjente. Ne së bashku, mundemi dhe duhet të krijojmë ambiente të sigurta, të sigurojmë rrugët, duke mbuluar vendbanimet me kamera, të vendosim ndriçim në mënyrë që fëmijëve t’iu sigurohet më shumë mbrojtje në rrugë dhe në vendet ku ata veprojnë”, u shpreh ajo.

Drejtori i Save the Children, Ahmet Kryeziu, tha se si organizatë janë krenarë që kanë pasur rastin të punojnë në ndërgjegjësimin e shoqërisë sa i përket dhunës në familje, në të gjitha hapësirat ku fëmijët veprojnë.

“Ftoj nga këtu, të gjithë përfaqësuesit e popullit, të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, prindërit, dhe të tjerët, që të angazhohemi së bashku, që fllimisht me aprovimin e ligjit për të drejtat e fëmijëve, të fillojmë të mendojmë më ndryshe”, tha ai.

Naser Lajqi nga Syri i Vizionit tha se të rriturit kanë përgjegjësi dhe obligim t'u ofrojnë dashuri dhe gjithë çfarë meritojnë fëmijët.

Ai uroi që më së largu, në korrik te këtij viti të miratohet ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

E në emër të fëmijëve foli Fleta Mujaj, e cila tha se papuçja e çfarëdo mënyre tjetër e ndëshkimit vetëm sa rrit pasojat që kanë me i përcjellë fëmijët gjatë gjithë jetës.

“Çdo formë tjetër e ndëshkimit nuk është mënyrë e disiplinimit të mirëfilltë të fëmijëve. Kemi dëgju me qindra herë që dhuna nuk është mënyrë e zgjidhjes së konfliktit dhe është shumë e vërtetë. Dhuna vetëm se rritë pasojat me efekte negative që kanë me i përcjellë fëmijët dhe vet prindërit gjatë gjithë jetës”, u shpreh ajo.

Qëllimi i kësaj fushate është rritja e vetëdijesimit të prindërve dhe të rriturve për pasojat që ka ndëshkimi trupor dhe përdorimi i dhunës, dhe ushtrimi i dhunës me papuçe, si një dukuri mjaftë e shprehur në ambientet familjare 

Lajme