Komunikatë për Media

#Qabonetipërmu?!


Komunikaten mund ta shihni edhe LIVE : kliko këtu


Prishtinë 15 nëntor, “#Qabonetipërmu?” është motoja e përzgjedhur nga fëmijët e grupit “Respektoni të Drejtat Tona- ROR (Respect Our Rights) për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e Fëmijëve, ditë kjo që festohet anë e mbanë botës më 20 Nëntor. Pas një viti që nga dita kur fëmijët e grupit ROR kanë prezantuar dhe miratuar ‘Rezolutën e Fëmijëve të Kosovës’ në praninë e deputetëve të kuvendit të Kosovës (më 20 nëntor të vitit 2017), fëmijët do të kërkojnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga Qeveria e Kosovës lidhur me realizimin dhe zbatueshmërinë e kësaj rezolute. 

 

Me datën 19 nëntor në Kuvendin e Kosovës, grupi ROR do të merr pjesë në takimin publik thirrur nga kryetari i Kuvendit, Z. Kadri Veseli, me ç’rast do të kërkojnë llogaridhënie ndaj qeverisë, pra nga vetë ministrat dhe deputetët, rreth asaj se çfarë është bërë drejt përmirësimit të situatës së të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Takimi në fjalë do të jetë në formë të dëgjimit publik ku fëmijët dhe deputetët do ju parashtrojnë pyetje të gjithë Ministrave rreth asaj se sa janë adresuar rekomandimet e parashtruara në Rezolutë, që kanë të bëjnë me të drejtat të cilat u garantohen të gjithë fëmijëve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe politika e ligje të ndryshme.

Poashtu në këtë ditë (më 19 Nëntor) duke filluar nga ora 09:15 në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, fëmijët e grupit ROR do të mbajnë konferencë për media ku do të flasin më shumë rreth qëllimit të Rezolutës së Fëmijëve të Kosovës, kërkesave që ajo përmban, dhe rëndësisë së mbështetjes dhe zbatueshmërisë së saj nga institucionet.Gjatë kësaj konference, do të lansohet edhe fushata avokuese e iniciuar nga vetë fëmijët, që ka për qëllim nxitjen e institucioneve që të bëjnë më shumë për ta. Kjo fushatë do të realizohet përmes video-mesazheve të realizuara nga fëmijë nga komuna të ndryshme të Kosovës, që do të lansohen në rrjetet sociale me moton e përbashkët “#Qabonetipërmu?”.

Kësaj fushate u janë bashkangjitur edhe organizata të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtat të fëmijëve, si Syri i Vizionit, Save the Children dhe UNICEF.

Grupi ROR (Respect Our Rights) përbëhet nga 24 anëtarë të moshave 14-17 vjeç të komunave të ndryshme të Kosovës dhe bën monitorimin e zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve në Kosovë dhe ligjeve vendore të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. ROR është themeluar nga organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” dhe “Save the Children” në kuadër të programit “Qeverisja me të drejtat e fëmijëve – Monitorimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve”.

REZOLUTA E FËMIJËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E DITËS UNIVERSALE TË FËMIJËVE

Dita Universale e Fëmijëve e Kombeve të Bashkuara u themelua në vitin 1954 dhe festohet më 20 nëntor në çdo vit për të promovuar bashkimin ndërkombëtar, ndërgjegjësimin e fëmijëve në mbarë botën dhe përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve. 20 nëntori është një datë e rëndësishme pasi që është data kur në vitin 1959 Asambleja e Përgjithshme e OKBsë miratoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës. Gjithashtu, është dita kur në vitin 1989, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Konventa për të Drejtat e Fëmijës është traktati më i ratifikuar ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, e cila përcakton një numër të të drejtave të fëmijëve, duke përfshirë të drejtën për jetë, për shëndet, arsimim dhe lojë, si dhe të drejtën për jetë familjare, për t'u mbrojtur nga dhuna, për tu mos diskriminuar dhe për të dëgjuar pikëpamjet e fëmijëve.
Në këtë ditë, nënat dhe baballarët, mësuesit, infermierët dhe mjekët, deputetët, udhëheqësit e qeverisë dhe aktivistët e shoqërisë civile, komuniteti, korporatat private dhe profesionistët e medias, si dhe të rinjtë dhe fëmijët vetë e kanë vëmendjen tek fëmijët dhe mirëqenia e tyre.
Dita Universale e Fëmijëve ofron secilit prej nesh një mundësi frymëzuese për të avokuar, promovuar dhe festuar të drejtat e fëmijëve, duke i përkthyer ato në një dialog shoqëror dhe veprime konkrete që do të ndërtojnë një botë më të mirë për Fëmijët.
Në këtë ditë të rëndësishme, ne, fëmijët e Kosovës, si të gjithë fëmijët e botës, duam të tërheqim vëmendjen e të rriturve për të drejtat dhe nevojat tona. Me këtë rast, duke u bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në linjë me Objektivat Zhvillimore të Qëndrueshme (OZHQ) 2016 - 2030 kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që:
Për të gjithë fëmijët, pa dallim, të garantohet: 
• Arsim cilësor e gjithëpërfshirës, zhvillim dhe edukim që nga mosha e fëmijërisë së hershme, dhe në të gjitha nivelet e arsimin para universitar; 
• Mjedis shkollor i sigurtë dhe miqësor për fëmijët, ku të gjithë janë të barabartë dhe me mundësi dhe qasje të barabartë, me mësues të përgatitur mirë për edukim dhe zhvillim të qëndrueshëm; 
• Shëndet, dhe zhvillim të duhur, parandalim te sëmundjeve ngjitëse dhe të transmetueshme, që përfshin kujdes mjekësor të një cilësie të lartë, barna dhe vaksina falas për fëmijë;
• Mbështetje dhe fuqizim të familjeve me fëmijë që jetojnë në varfëri, pa dallim, rritje ekonomike të shpejtë dhe të qëndrueshme: 
• Mbrojtje më të madhe institucionale përmes programeve sociale për të gjithë fëmijët në nevojë, përfshirë fëmijët e braktisur dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijët viktima të shfrytëzimit dhe trafikimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët përdorues të drogave, fëmijët në konflikt me ligjin etj.
• Ligj i veçantë dhe të zbatueshëm me sistem të qartë, të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe me buxhet adekuat për mbrojtjen e fëmijëve; 
• Që ligjet dhe praktikat të mos diskriminojnë asnjë fëmijë apo grup fëmijësh, të përmbushen nevojat dhe të drejtat e të gjithëve, me theks të veçantë të fëmijëve me aftësi të kufizuar; 
• Riatdhesim sa më të lehtë dhe me shërbime të integruara për fëmijë; 
• Mbrojtje nga çdo formë e dhunës, ndalimi i ndëshkimit trupor në të gjitha ambientet dhe mekanizma funksional për parandalim dhe mbrojtje; 

• Përfshirje aktive, konsultime dhe pjesëmarrje aktive në vendimmarrje për të gjitha çështjet që kanë të bejnë me ta dhe familjet e tyre. 

Lajme