Grupi i fëmijëve 'Respect Our Rights' dënon dhunën në shkolla, kërkon veprim nga institucionet

“Një ngjarje skandaloze ka ndodhur gjatë të martës së kaluar (11.05.2021), në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë. Në oborrin e kësaj shkolle disa nxënës të klasës së shtatë, ngacmojnë seksualisht një vajzë të po kësaj shkolle të klasës së parë.”
Lajme të tilla që kanë qarkulluar ditëve të fundit në rrjete sociale, media dhe më gjerë na kanë shqetësuar jashtë mase neve si anëtarë të grupit “Respect Our Rights” (ROR). Kjo ngjarje nuk është e para që po ndodh e nuk do të jete as e fundit deri sa nuk merren masa vetëdijesuese e ndëshkuese.
Ne si grup monitorues i të drejtave të fëmijëve që përfaqësojmë zërin e fëmijëve të Republikës së Kosovës, ju drejtohemi te gjithëve, të bashkohemi për të ndalur një herë e mirë dukuritë negative si dhuna fizike, psikologjike e seksuale tek të miturit.
Ftojmë drejtoreshën e shkollës në fjalë që të merret me çështjet qe po ndodhin brenda shkollës dhe të mos i mbulojnë dhe izolojnë këto raste alarmante.
Udhëheqësit e shkollës duhet të kenë më shumë mbikëqyrje dhe të krijojnë mekanizma të ndryshëm mbrojtës duke mundësuar vetëdijesimin e fëmijëve për të ndaluar dhunën në të gjitha format e saj.
Kërkojmë që vajzës 5 vjeçare, t’i ofrohen shërbime psikologjike për një periudhë më të gjatë kohore. Ndërsa ngacmuesit t'i nënshtrohen riedukimit!
Të nderuar prindër, edukoni fëmijët tuaj të kenë dashuri, mirësjellje dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Ekspozimi i tyre ndaj dhunës mund të sjellë pasoja gjatë tërë jetës së tyre.
Të dashur fëmijë, ju njoftojmë se ngacmimet verbale, fizike, seksuale janë vepra të dënueshme me ligj. Një sjellje e juaj që mund të ju duket e vogël, ka dëme tmerrësisht të mëdha!
I bëjmë thirrje institucionit të Policisë së Kosovës, që patrullat dhe kontrollet rreth ambienteve shkollore të jenë sa më të shpeshta. Kjo mund të krijojë një ambient më të sigurt për të gjithë fëmijët.
Iu lutemi mediave dhe portaleve të ndryshme që të kenë shumë kujdes dhe mos të publikojnë fotografi te fëmijëve nën moshën 18 vjeçare pa lejen e prindit/kujdestarit te tyre si dhe të mos publikojnë informata personale që mund të cenojnë privatësinë e tyre.
Bëjmë thirrje që të gjithë qytetarët të raportojnë rastet e ngacmimit, dhunës, abuzimit që i hasin duke kërkuar llogari nga vendimmarrësit!

Ne jemi këtu që t’i ndihmojmë secilit fëmijë pa dallim dhe do të sigurohemi që të adresojmë të gjitha rastet në institucionet përkatëse duke u siguruar se po merren masat e duhura! 

Lajme